NJU JORK – Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të hënën për të diskutuar rreth sulmit të Izraelit ndaj Iranit, njoftoi të dielën presidenca zviceriane e këshillit.
Misioni zviceran në OKB tha se takimi ishte kërkuar nga Irani me mbështetjen e Algjerisë, Kinës dhe Rusisë.
“Veprimet e regjimit izraelit përbëjnë një kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe destabilizojnë më tej një rajon tashmë të brishtë”, shprehet ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi në një letër drejtuar të shtunën këshillit të përbërë nga 15 vende anëtare.
Dhjetra avionë izraelitë përfunduan tre valë sulmesh përpara agimit të së shtunës ndaj fabrikave të raketave dhe objekteve të tjera pranë Teheranit dhe në Iranin perëndimor, njoftoi ushtria izraelite.
Goditjet ishin një kundërpërgjigje për sulmin e 1 tetorit të Iranit ndaj Izraelit me rreth 200 raketa balistike dhe Izraeli e paralajmëroi Iranin që të mos kundërpërgjigjet pas sulmit të fundit.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon hodhi poshtë kërkesën e Iranit në Kombet e Bashkuara, duke thënë në një deklaratë të dielën se Irani “po përpiqej të vepronte kundër nesh në arenën diplomatike me pretendimin qesharak se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndërpresin të gjitha veprimet ushtarake, përfshirë në Gazë dhe Liban, që të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar një luftë gjithëpërfshirëse rajonale dhe për t’u rikthyer në rrugën e diplomacisë, tha zëdhënësi i tij në një deklaratë të shtunën./VOA